Vetëm dy javë pasi kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ishte lavdëruar se gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” “është shumë e mirë”, stadiumit të kryeqytetit iu është vënë “dryni” sërish.
Këtë të enjte, FFK-ja ka njoftuar se stadiumi nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv për 25 ditët e ardhshme pasi do të punohet për ta kompletuar rritjen e barit natyral, meqë sipas njoftimit kjo është rekomanduar nga ekspertët e fushave të UEFA-s edhe pse për renovimin e tij u investuan 1.3 milionë euro.
Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League, sipas njoftimit, ka shpjeguar se bari natyral është në proces rritjeje në “Fadil Vokrri” dhe për këtë është e nevojshme kohë.
“Në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Por, me gjithë lavdet nga përgjegjësit, gjendja e fushës u kritikua menjëherë pasi u provua edhe nga lojtarët e Rumanisë që zhvilluan ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Kosovës, por edhe trajneri i “Dardanëve”, Franco Foda.
Edhe trajneri i Legia Varshavës, Goncalo Feio, pas ndeshjes së skuadrës së tij me Dritën e Gjilanit në kuadër të Ligës së Konferencës ishte është shprehur i “tronditur” nga terreni i stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Ishte e vështirë për ne të lëviznim topin, kjo është diçka për të menduar për herë të tjera. Ishte një ndeshje në një terren të vështirë, kishte kushte të vështira”, pati theksuar ai pasi skuadra e tij e mposhti Dritën e Gjilanit 0:1.
Për renovimin e fushës, ishte lavdëruar edhe ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, i cili më 28 gusht kishte potencuar se me investimin e ri, stadiumi “Fadil Vokrri” është gati të mirëpresë “ndeshje të mëdha në një fushë që plotëson standardet më të larta ndërkombëtare”.
“Fusha e re është ndërtuar duke përdorur sistemin hibrid, i cili është fjala e fundit e teknologjisë në botë. Ky sistem garanton qëndrueshmëri dhe performancë të lartë të fushës në çdo kusht atmosferik. Përveç sistemit hibrid, stadiumi tani ka një sistem të përparuar të drenazhimit dhe ngrohjes, i cili siguron që fusha të jetë gjithmonë në gjendje optimale për lojë”, pati shkruar ai në Facebook.