Sport

Bronz i dytë për Shqipërinë, Dudaev merr medalje në mundje

Një medalje e dytë në Lojërat Olimpike në Paris për Shqipërinë.

Sërish e bronztë dhe sërish nga një mundës.

Islam Dudaev ka fituar në ndeshjen me hungarezin Ismail Musukaev, i cili ka dalë i pesti në këtë peshë në Tokio 2020, ndërsa ishte kampion bote në vitin 2023.

Me një ndeshje tepër të vuajtur dhe të fituar vetëm sekondat e fundit me rezultatin 13-12, Dudaev arriti të korrë një sukses të jashtëzakonshëm në peshën 65 kilogramë për mundjen e lirë.

Dudaev e nisi ndeshjen shumë mirë me një kapje katër pikëshe dhe disa kapje dy pikëshe, teksa hungarezi, i cili vendosi ta zhvillonte shumicën në mbrojtje, u kundërpërgjigj shpejt.

Në pjesën e dytë të mundjes, Dudaev sërish e nisi në sulm dhe realizoi disa pikë, por u kap në befasi drejt fundit nga hungarezi dhe takimi u baraspeshua. Me këtë rezultat, Dudaev do ta humbiste mundjen.

Por, me këmbënguljen e tij të paepur, mundësi shqiptar arriti të nxjerrë jashtë fushe rivalin hungarez, duke marrë një pikë të arte me tre sekonda të mbetura dhe duke sjellë në Shqipëri një bronz të dytë të merituar, pas atij të marrë nga Chermen Valiev më 10 gusht.

Valiev kreu një ndeshje të qetë kundër mundësit nga Taxhikistani Viktor Rassadin, ku e mundi këtë të fundit me rezultatin 6 me 2.

Duke kaluar në epërsi në minutat e para, për shkak të një penaliteti që mori Rassadin, Valiev më pas filloi të kontrollonte ndeshjen dhe e ço shpejt rezultatin në 4 me 0.

Mundësi taxhik u zgjua gjatë pjesës së dytë dhe i mori garuesit shqiptar një dypikësh, duke u rikthyer në ndeshje.

Por, qetësia e admirueshme dhe durimi i Valiev i dhanë atij gjithë armët për të mposhtur kundërshtarin, kur nga një pozitë tejet e vështirë, ai arriti që të nxirrte kundërshtarin jashtë rrethit dhe mori një pikë tjetër të çmuar.

Pas një rishikimi të kërkuar nga ekipi taxhik, u verifikua se pika e Valiev qëndronte dhe atij iu dha edhe një pikë tjetër e vlefshme, duke e vulosur rezultatin në 6 me 2 me pak sekonda të mbetura në tabelë dhe me qetësinë olimpike të tij për ta mbyllur takimin pa pasur më nevojë për sforcime.

Ky bronz megjithatë, mund të kishte qenë edhe më shumë, pas një ndeshjeje shumë të kundërshtuar çerekfinale, të cilën Valiev e zhvilloi më 9 gusht, ku ai është mundur nga garuesi i Uzbekistanit, Razambek Salambekovitch, me vendim gjyqtarësh 6-5 në “Champ-de-Mars Arena”.

Një reagim tejet të ashpër e ka pasur lidhur me rastin edhe Federata Shqiptare e Mundjes, ku e ka quajtur një padrejtësi të madhe gjykimin që i është bërë Valievit nga gjyqtarët e takimit.

Federata Shqiptare pretendon se ka pasur shkelje të hapura dhe vendime të padrejta në këtë ndeshje, të cilat e kanë penalizuar Valievin.

Madje, sipas Federatës, nuk bëhet fjalë thjesht për “padrejtësi të vogla”, por këto të bëra ndaj Valiev, janë të mëdha dhe kushtëzuese.

Sipas reagimit, Valiev në ndeshjen çerekfinale, në sekondat e fundit ka humbur me një vendim te padrejtë të gjyqtarisë, 6-5 në favor të mundësit nga Uzbekistani, ku ndeshja ishte terësisht e dominuar nga Valiev, por pa mundur të marr fitoren e mohuar.

“Me kaq guxim të madh dhe kaq haptazi, dje vodhën finalen nga sportisti ynë dhe ëndrrën tonë dhe të tij, për medaljen historike”, vijon Federata. “Ky diskriminim në këtë event sportiv me rendësi kaq të madhe lë realisht për të dëshiruar. Vjedhje!”.

Gjithsesi, ajo çfarë mbetet është bronzi i pari shqiptar historik, i cili mban tashmë emrin e Chermen Valiev.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12