Editorial nga gazetari Valon Rashiti
Para më shumë se 13 mijë shikuesve prezentë dhe para qindra mijërave të tjerë, apo miliona, nëpër ekrane televizive, Kosova u turpërua në mënyrën më brutale të mundshme nga Rumania.
Atdhedashuri nuk mund të quhet performanca e lojtarëve të Kosovës në Fadil Vokrri – emër ky që simbolizon të kundërtën e asaj çfarë treguan në fushë shumica prej tyre.
Është poshtërim klasik i fanellës që përmban simbolet e shtetit, të cilat për t’i fituar nuk është nevoja të përmenden këtu se çfarë sakrificash janë bërë – i di çdokush.
Në ndeshjet për kombëtare, lojtarët japin maksimumin, por janë disa ndeshje ku japin përtej asaj: lënë gjithçka në fushë.
E tillë për përfaqësuesit e Kosovës duhej të ishte kjo kundër Rumanisë – shtet që s’na njeh pavarësinë.
Kur u përballëm me ta në Bukuresht, tifozët rumunë shfaqën banera fashiste, si “Kosova është Serbi”, brohoritën të njëjtën gjë dhe çfarë jo tjetër.
Të premten, Kosova, përmes lojtarëve të saj, kishte mundësinë t’i përgjigjej fashistëve rumunë për të gjitha.
Por jo, kjo nuk ndodhi.
“Ushtarët” që i kishim në “betejë” nuk sollën fitore.
Por as s’kanë si ta sjellin; shumica prej tyre e shohin Kosovën vetëm si një trampolinë për avancimin e karrierës personale.
Ka edhe prej atyre që e kanë zgjidhje dytësore, tretësore… pasi që s’ia varin kombëtareve që dëshirojnë t’i përfaqësojnë, vijnë tek ne.
Prandaj kanë këto paraqitje. Prandaj turpërojnë kombin.
Kjo është e vetmja logjikë, s’ka tjetër. Përndryshe, si është e mundur që janë pikërisht këta lojtarë (pjesa më e madhe e tyre) që nëpër klubet e tyre shkëlqejnë?!
Megjithatë, humbja e thellë ndaj Rumanisë është tregues se forma e dobët e Kosovës po vazhdon. Rezultatet janë të njëjta: disfata.
Por, në të gjithë këtë situatë, ajo çfarë po mungon është më e rëndësishme sesa kontinuiteti negativ. Marrja e përgjegjësisë. As që bëhet fjalë për dorëheqje.
Agim Ademi, “lideri suprem” i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), vazhdon sundimin i qetë.
Nuk jep kurrfarë përgjegjësie. Nuk është e çuditshme as kjo. Përkundrazi, është më se e pritshme.
Çfarë të pritet prej një njeriu të akuzuar për korrupsion, i cili i ka mbyllur çështjet gjyqësore në mënyrë të dyshimtë?!
Çfarë të pritet nga një njeri që është zgjedhur dhe vazhdon të qëndrojë në krye të një institucioni që s’ka lidhje me të, përmes pazareve?!
Çfarë të pritet prej një njeriu i cili e ka bërë lajm ndërkombëtar futbollin e Kosovës për faktin se si kurdisen ndeshjet?!
Çfarë të pritet prej një njeriu që ka shuar dhe nuk lejon asnjë zë kritik?!
Çfarë të pritet prej një njeriu që thotë se pavarësisht se çfarë ndodh “nuk jap dorëheqje kurrë” – shprehje që dëgjohet vetëm tek liderët komunistë?!
Çfarë të pritet prej një njeriu që rreh kundërshtarët e tij?!
Çfarë të pritet prej një njeriu që përjashton klube nga liga vetëm pse nuk i shkojnë për shtati?!
Çfarë të pritet nga një njeri që arsyeton dështimin spektakolar të Përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet për “Euro2024”?!
Këso pyetjesh, apo thënë ndryshe të vërteta, mund të shtrohen pafund për biznesmenin i cili çuditërisht erdhi në krye të FFK-së – ndoshta si mundësi për ta zgjeruar biznesin e tij të dyshimtë përmes kësaj pozite publike.
Për këtë situatë ku gjendet Përfaqësuesja e Kosovës ka shumë fajtorë, por njëri është më i madhi, apo kryesori. Agim Ademi.
Përgjegjësia nënkupton vetëm largimin e tij, rrjedhimisht largimin e mentalitetit të mbrapshtë të tij.
P.S.: Fusha që së fundmi u rinovua dhe u promovua me pompozitet nga Ademi nuk u duk në gjendje të mirë. U vërtetuan shqetësimet që i ngriti trajneri Foda, por edhe disa të tjerë.
Sa për rikujtim: Kosovës kjo fusha e re i ka kushtuar miliona euro. E këtu patjetër që duhet të ketë punë për Prokurorinë.