Kosovë

“Faktet po flasin”, Hyseni shpenzoi 1.4 milionë euro për militantët e LVV-së

Kryetari i Partisë Demokratike në Gjilan, Riad Rashiti, ka thënë se “faktet po flasin” dhe se sipas tij, komuna e Gjilanit shpenzoi 1.4 milionë euro për militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, të punësuar me kontrata në vepër dhe për kujdestari jashtë orarit të punës.

“Sipas raportit zyrtar financiar janar-qershor 2024, komuna e Gjilanit ka shpenzuar në kodin buxhetor 13445 për shërbimet e veçanta-konsulent dhe për kontraktor individual, në vlerë prej 1,044,781.08 euro”, ka shkruar ai në Facebook.

“Ndërsa ka shpenzuar buxhet në vlerë prej 313,184,94 euro për kujdestari pune gjatë natës dhe punë jashtë orarit të punës, sipas kodit 11431. Pra vetëm për këto lloj pagesa janë shpenzuar rreth 1.4 milion euro, për investime kapitale në Gjilan janë shpenzuar vetëm 1.7 milion euro prej 10 milion të planifikuara në buxhetin 2024”, shtoi.

Ai ka potencuar se Drejtoresha e Buxhetit dhe Financave siç duket është bërë “kukull” dhe vetëm vëzhguese e keqpërdorimeve të jashtëzakonshme të buxhetit nga ana e kryetarit të Gjilanit, apo nuk është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka si udhëheqëse e këtij sektori.

“Ajo duhet të ushtrojë me dinjitet funksionin e vet, të mos lejoj këto gjëra të ndodhin, ashtu siç nuk kam lejuar kryetarin për ato 16 muaj të bëjë këto veprime skandaloze dhe në kundërshtim me ligjin për financat publike”.

“Të gjitha këto shpenzime janë paguar jashtë planifikimit buxhetor të miratuar nga ana e Kuvendit Komunal, gjë që paraqet shkelje të ligjit të financave publike nga ana e ZKA gjegjësisht të kryetarit të komunës së Gjilanit”, theksoi Rashiti.

Për kreun e PDK-së në Gjilan, mos raportimi në seancat e Kuvendit Komunal nga ana e ekzekutivit, për raportet periodike financiare është e qëllimshme në mënyrë që të iket llogaridhënies para përfaqësuesve të qytetarëve, ashtu siç e parashohin edhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Edhe për këto shkelje ligjore ne si PDK, i bëjmë thirrje publike hetuesisë dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan që të merren dhe hetojnë këto shkelje të rënda buxhetore”.

Rashiti ka shtuar se PDK nuk do të ndalet deri në largimin e organizatës së LV-së nga pushteti komunal në Gjilan, derisa ka shtuar se “nuk do të heshtim asnjëherë para këtyre keqpërdorimeve milionëshe të buxhetit komunal”.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12