KosovëLajme

Nisin hetimet për tenderin e renovimit të Stadiumit të Gjilanit – Hyseni kishte përzgjedhur ofertuesin me çmimin më të lartë

Tenderi për renovimin e Stadiumit të Gjilanit zyrtarisht është bërë subjekt i hetimit nga organet e ndjekjes.

Gardiani Pres mëson ekskluzivisht se ky tender po hetohet nën dyshimet për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Në një dokument të siguruar nga Gardiani, theksohet se hetimin është duke e kryer Njësia e Hetimeve Financiare nga Drejtoria për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të Policisë së Kosovës.

Në Kërkesën e Policisë për marrjen e informatave theksohet se e gjithë kjo procedurë po zbatohet me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në dokument, hetuesit policor kanë kërkuar të pajisen me të gjitha të dhënat e dosjes së kontratës së Fazës së parë të renovimit të Stadiumit të Qytetit.

“Ju njoftojmë se të dhënat na duhen urgjent, shpresojnë se kjo kërkesë e jona do të shqyrtohet në një afat sa më të shkurtër”, theksohet në kërkesën drejtuar Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit.

Gardiani ka raportuar në vazhdimësi për një sërë pretendimesh për parregullësi në këtë tender.

Fillimisht, Gardiani ka raportuar për problematika në fazën e përzgjedhjes së fituesit, e më pas edhe për faktin se fitues i tenderi doli një kompani që ofertoi me çmim për rreth dy milionë euro më të shtrenjtë.

Komuna e Gjilanit e kishte shpallur fitues konzorciumin “Demiri Cartenbau CmblI”, “Avag Group SH.P.K”, “Bl-Bau. SH.P.K., “Bujar Shabar”, “B.L: Kosova”, “Asfalt SH.P.K”, “K.N.T.SH. Teuta – M”, “SH. R.M. Lagerstrasse 1-1”, “6600 Lubendorf” që ofertuan me 14 milionë e 997 mijë euro.

Ofertuesi më i lirë në këtë tender kishte ofertuar me 1 milionë e 720 mijë euro më pak.

Anulimin e tenderit e kishte rekomanduar edhe eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ndryshe, renovimi i stadiumit në Gjilan filloi si projekt në vitin 2017 dhe pritej të përfundonte në fund të 2020-ës.

Neglizhenca, zvarritja e punimeve si dhe shumë çështje të tjera e kanë përcjellur realizimin sipas afateve të parapara të stadiumit.

Pasojat e rinovimit të stërzgjatur i kanë vuajtur më së shumti Drita e Gjilani që bëjnë gara në superligë.

Dy skuadrat, në mungesë të stadiumit, ndeshjet si vendës i kanë zhvilluar në fushën me bari sintetik në Gjilan.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12