Kosovë

“Gjilani s’ka kryetar” – Haziri: Procesi për renovimin e stadiumit që nga fillimi ka qenë i korruptuar

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se procesi për renovimin e stadiumit të Gjilanit që nga fillimi ka qenë “i korruptuar”, teksa ka ngritur shqetësimin e tij për anulimin e projektit për rinovimin e stadiumit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, ndërsa për projektin në fjalë hetime ka nisur Policia.

“Procesi ka qenë i korruptuar, dhe si i tillë në të ardhmen nuk garanton të jetë prapë i hapur. Nga sot e tutje do të dalin faktet në dritë, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me mbyllje të dyerve, fikje të kamerave apo ndërhyje në aplikacione, por kemi të bëjmë edhe me dyfishim të çmimit të komplet projektit. Nuk bëhet fjalë vetëm për 2 milionë euro më shumë, por për mbi 7.8 milionë euro nga projekti ynë”, tha Haziri gjatë një konference për media.

“Tani është një mundësi e mirë që ky proces të kthehet tek sportdashësit, e komuna e Gjilanit ta ketë një rol sekondar. Është mundësi e mire, gjithashtu, që të bëhet revidimi i projektit, e të merret parasysh peticioni qytetar dhe idetë e akterëve të ndryshëm për një projekt që qyteti e meriton, sepse projekti i kaluar nuk ka qenë aspak urban krahasuar me atë që qyteti duhet ta ketë pas 4-5 vitesh”, shtoi.

Sipas Hazirit, qytetarët janë zhgënjyer nga kjo qeverisje, derisa ka shtuar se qyteti i Gjilanit “s’ka kryetar”, duke potencuar se kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, duke tentuar të gjej fajtorë brenda grupit të tij qeverisës, në mënyrë që ta shpëtojë vetën, “cak në këtë mandat ka pasur gratë e zonjat e partisë së tij, të cilat në momentet e para që kanë shpërthyer skandalet e tij, i ka shkarkuar”.

Ndryshe, renovimi i stadiumit në Gjilan filloi si projekt në vitin 2017 dhe pritej të përfundonte në fund të 2020-ës. Neglizhenca, zvarritja e punimeve si dhe shumë çështje të tjera e kanë përcjellur realizimin sipas afateve të parapara të stadiumit.

Pasojat e rinovimit të stërzgjatur i kanë vuajtur më së shumti Drita e Gjilani që bëjnë gara në superligë. Dy skuadrat, në mungesë të stadiumit, ndeshjet si vendës i kanë zhvilluar në fushën me bari sintetik në Gjilan.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12