Sport

Drita kërkon shkëlqimin edhe në plejof ndaj Legia Varshavës

Besnik Krasniqi shënoi nga penalltia dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Rron Broja i dha epërsinë e një goli Dritës në vazhdime, ndërsa Albert Dabiqaj e vendosi sfidën.

Me golat e tyre u konfirmua edhe avancimi i skuadrës gjilanase në fazën e plejofit. Drita edhe në të kaluarën ka dhuruar paraqitje emocionuese, por fitorja 3:1 ndaj Audas së Letonisë të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, u vlerësua e veçantë nga lojtarët dhe nga tifozët.

Tifozë të shumtë në fakt ishin të pranishëm në stadium kur panë shkëlqimin e Dritës, që avancoi për herë të parë në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës.

Kjo është arritur falë punës shumë të madhe të bërë përgjatë fazës përgatitore, thotë kapiteni i Dritës, Rron Broja. Broja e shënoi golin për 2:1 në minutën e 102-të, kur pas topit të futur në zonë nga Besnik Krasniqi, në asistues ishte kthyer Blerim Krasniqi. Broja nuk e pati telashe që me kokë ta shtyjë topin në rrjetë. 

“Është një ndjesi e veçantë të shënosh gol në ndeshje të Evropës. Jam shumë i lumtur për golin e shënuar. Jemi të lumtur që jemi në plejof sepse kemi punuar shumë që të jemi në këtë fazë të garës”, tha kapiteni i skuadrës gjilanase. 

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Krasniqi, ishte prej më të mirëve në fushë. Ai ishte i saktë nga penalltia e minutës së 75-të, që e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Krasniqi asistoi edhe në golin që e shënoi Albert Dabiqaj në minutën e 115-të për 3:1.  

Krasniqi e vlerësoi atë mbrëmje si njërën prej më të mirave në gjithë karrierën e tij. 

“Ishte një natë spektakolare ajo e së enjtes mbrëma në ‘Fadil Vokrri’.

Pati gjithçka në atë ballafaqim, gjithçka ishte emocionuese. Jam shumë i lumtur që e kaluam këtë raund. Ishte e vështirë por nuk u dorëzuam dhe kishim besim se mund të avanconim tutje”, ka thënë 34-vjeçari Krasniqi për mediat.

Drita paraqitet rregullisht në garat evropiane që prej edicionit 2018/19. Është përballur edhe me skuadra të mëdha si Viktoria Plzen, Antwerp, Feyenoord e Malmo. Suksesin më të madh e kishte arritur në edicionin 2020/21, kur ishte paraqitur në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ishte eliminuar nga Legia e Varshavës. 

Pikërisht skuadra e madhe polake do të jetë kundërshtarja e radhës për Dritën, që synon revanshin. 

Mesfushori dhe kapiteni Broja, si dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Krasniqi, nuk ishin pjesë e Dritës në atë kohë. Por që të dy synojnë ta arrijnë suksesin historik. 

“Kundërshtarja e radhës, Legia, është skuadër e madhe dhe me shumë histori. Por ne besojmë shumë se mund ta arrijmë fazën grupore. Do të japim gjithçka në të dyja ballafaqimet”, ka theksuar Broja 28-vjeçar. 

Legia e Varshavës është 15 herë fituese e kampionatit elitar të Polonisë, ndërsa 20 herë është fituese e Kupës polake. Një herë është fituese e Kupës së Ligës. 

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12