FutbollSport

Drita – Legia, “Intelektualët” besojnë në përmbysje të rezultatit

Drita të enjten pësoi disfatë 2:0 në Varshavë nga Legia, në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës.

Por te Drita besojnë se kanë forcë për ta përmbysur rezultatin dhe ta sigurojnë për herë të parë paraqitjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Drita ka mbetur skuadra e vetme e Kosovës që ka gjasa për paraqitje në grupet e garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.

Por, për ta realizuar synimin, te Drita pranojnë se u duhet paraqitje e madhe me Legian në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Ballafaqimi Drita – Legia e Varshavës zhvillohet të enjten e ardhshme, nga ora 20:00. 

Drita në ndeshjen e parë ndaj Legias u vu në vështirësi edhe më të madhe prej minutës së 30-të kur mbeti me një futbollist më pak në fushë.  

Qendërmbrojtësi ganez, 20-vjeçari Hasan Gomda, u ndëshkua me të kuq. Fillimisht atij iu dha kartoni i verdhë për ndërhyrje të palejuar, por pas rishikimit të situatës në VAR, u përjashtua direkt nga loja.

Mungesa e një lojtari më pak në fushë është ndier shumë. Këtë e ka pranuar edhe bashkëlojtari i Gomdas në qendër të mbrojtjes, kolumbiani Juan Camilo Mesa. 

“Kushtet ishin shumë të mira, stadiumi ishte i përkryer dhe atmosfera ishte ideale për të luajtur futboll.

Ndeshja ishte shumë e vështirë nga fillimi, por mendoj se nëse nuk do të mbeteshim me 10 lojtarë, rezultati pa dyshim se do të ishte krejtësisht ndryshe”, ka pranuar Mesa.

Mesa është i bindur se ndeshja kthyese do të jetë krejtësisht ndryshe, pasi ka besimin e plotë te bashkëlojtarët e tij.

Mesa iu bashkua Dritës në janar të këtij viti nga Dinamo e Superiores së Shqipërisë, ndërsa më herët karrierë ka bërë edhe te Shibeniku dhe CD America e Bucaramanga në Kolumbi. 

“Trajneri ka besim të madh te gjithë futbollistët dhe këtë e ka përçuar te ne. Plani i lojës ndryshoi prej fillimit, por mendoj se në Prishtinë do të jetë ndryshe. Ne do të japim gjithçka nga vetja, nuk do të kursehemi dhe do të përpiqemi që të jemi në gjendje ta kthejmë rezultatin në të mirën tonë”, është shprehur Mesa. 

Mesa ka folur edhe për Superligën e Kosovës si dhe futbollin e Kosovës në përgjithësi. 

“Liga tashmë ka nisur, por ne nuk kemi filluar ende. Por është e rëndësishme për ne që të jemi në gjendje të pozicionohemi mirë në tabelë. Në përgjithësi futbolli në Kosovë është përmirësuar shumë dhe në çdo vit po bëhet edhe më interesant dhe po fiton më shumë popullaritet”, ka deklaruar ai. 

Të enjten pas ndeshjes në konferencën për shtyp foli trajneri Zekirija Ramadani. Ai e ka përgëzuar Legian për fitoren, ndërsa rezultatin e ka vlerësuar të kthyeshëm. 

“Fillimisht dua t’i përgëzoj lojtarët e mi për gjithçka që dhanë në ndeshje, sepse të luash me dhjetë lojtarë për 60 minuta është e vështirë ndaj çdo kundërshtari, veçanërisht ndaj Legias. Humbëm 2:0 por mendoj se mund t’i shmangim golat që i pësuam. Kemi dhënë shumë në ndeshjen në Varshavë. Nuk është rezultat i keq. Do ta japim më të mirën në ndeshjen në shtëpi. Dua që ta përgëzoj kundërshtarin për fitoren. Tani e presim Legian në Prishtinë dhe mezi po e presim atë ndeshje”, deklaroi trajneri shkupjan. 

Drita nga Legia e Varshavës pati pësuar humbje 2:0 dhe ishte eliminuar nga skuadra polake edhe në edicionin 2020/21, por në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Në atë kohë ishte zhvilluar vetëm një ndeshje. 

Skuadra gjilanase e ka përvojën në skenën ndërkombëtare pasi është pjesëmarrëse prej edicionit 2018/19, kurse me plot sukses është përballur edhe me skuadra të mëdha si Viktoria Plzen, Antëerp, Feyenoord e Malmo. 

Tjetër paraqitje e mirë synohet të enjten. 

Skuadrat e tjera të Kosovës që ishin pjesëmarrëse në edicionin e sivjetmë në garat ndërkombëtare, Ballkani, Llapi e Malisheva, janë eliminuar më herët.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12