Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në komunën e Lipjanit të hënën, ka konsideruar se kryeministri kosovar, Albin Kurti, përgjatë mandatit qeverisës katër vjeçar ka “mashtruar, varfëruar dhe izoluar” një popull të tërë, ndërsa ka shtuar se katër vitet e ardhshme “do të jenë të mjaftueshme” për t’ia rikthyer shpresën Kosovës.
“Jemi duke i kaluar katër vite të vështira për vendin tonë – katër vite të një qeverie që ka mashtruar një popull të tërë. Që i ka mbajtur të varfëruar, të mbyllur e të izoluar… katër vitet e ardhshme do të jenë të mjaftueshme për të rikthyer këtë fat në rrugën e mbarë, në rrugën e LDK-së, në rrugën e vetme me rezultate historike për Kosovën”, ka thënë kreu i partisë opozitare.
Ai ka folur edhe për marrëdhëniet e lënduara midis Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke theksuar se qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëndeosje (LVV) e ka lënë vendin pa miq e aleatë: “Kosova për katër vite nuk ka marrë asnjë njohje, asnjë anëtarësim, nuk ka bërë asnjë hap drejt rrugëtimit tonë euroatlantik që ne në LDK e kemi synim orientues e strategjik”.
Duke qenë se së shpejti do të hapet sezoni zgjedhor – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë më shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës përgatitore për betejën e radhës – kanë filluar edhe aktivitetet e politikanëve në funksion të tërheqjes së mbështetjes.
Ndryshe, zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025, në një kohë kur polarizimi i skajshëm dhe sfidat e sigurisë janë duke zënë rrënjë në vend. Në të njëjtën kohë, procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet një prej çështjeve kryesore politike.