Mbrojtësi Armend Thaqi ka zgjedhur Gjilanin shkaku i projektit shembull, ndërsa thotë se u largua shpejtë nga Cluji shkaku i minutazhës së ulët në një intervistë të mërkurën për Gazetën Nacionale.
31-vjeçari iu bashku Clujit në verë duke nënshkruar kontratë dyvjeçare me opsion për një tjetër, mirëpo që u largua qysh në të njëjtin afat kalimtar, duke u kthyer në Kosovë. Këtë herë te Gjilani.
Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Thaqi thotë se zgjodhi “Skifterët” shkaku që kanë shprehur interesim që sa kohë, duke i dhënë respektin maksimal, e pastaj edhe projekti është shembull.
“Rikthehem te Gjilani skuadër që duke parë interesimin e tyre ndaj meje bëri që ta pranoj ofertën. Disa gjera janë dhe duhet vlerësuar në bazë të asaj se çfarë respekti dhe dëshire ka një skuadër për të më pasur në klub”.
“Duke e ditur respektin e Gjilanit për mua, njëkohësisht i imi për Gjilanin, vendosa t’i bashkohem ngase edhe projekti i klubit është që duan të jenë shembull në të gjitha aspektet”.
Thaqi nuk e mohoi se kishte oferta të tjera në Kosovë, mirëpo është i lumtur që iu bashkua Gjilanit, skuadër me të cilën dëshiron të konkurrojë deri në fund.
“Po, kam pasur oferta mirëpo kjo e Gjilanit ishte shumë më konkrete dhe për atë vendosa t’i bashkohem klubit. Shpresoj që së bashku të bëjmë një sezon të madhe dhe të arrijmë të jemi konkurrent deri në ndeshjen e fundit”.
I pyetur se çka shkoi keq te Cluji, mbrojtësi shtoi se u largua vetëm shkaku i minutazhës, pavarësisht që e nisi për mrekulli.
“Në Rumani fillova shumë mirë, mirëpo ndryshuan disa gjëra që ndodhin në futboll dhe pastaj erdhëm në një moment të vështirë që u nevojit të marrë një vendim që të kem më shumë minuta, në më shumë ndeshje. Është diçka që do të sqarohet me kohë”, përfundoi ai për Nacionalen.
Thaqi në fakt “debutoi” te Gjilani në një ndeshje miqësore, ndërsa do të jetë i gatshëm qysh për përballjen e ardhshme në Superligën e Kosovës.
Afrimi i tij padyshim do të jetë fantastik për klubin gjilanas, ngase ka qenë mbrojtësi i krahut të djathtë më i mirë në dekadën e fundit në Kosovë, si dhe ka eksperiencë shumë të madhe.
Gjilani në përgjithësi nuk e ka nisur mirë sezonin, ku pas katër xhirove hapëse ende s’ka fitore, duke regjistruar vetëm dy barazime.