KosovëLajme

Haziri për mundësinë e kthimit të Vjosa Osmanit në LDK: S’kemi ulëse rezervë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Qeveria Kurti po e rrezikon Kosovën që të përjashtohet nga Procesi i Samitit të Berlinit, e sipas tij, kjo do të ishte goditja e dytë më e rënda pas mosanëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Haziri ka deklaruar të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se Qeveria aktuale s’e ka ndërtuar ambientin “ku mekanizmi i botës do të anëtarësonte Kosovën në KiE”.

“Qeveria ka pasur lëvizje pozitive me marrëveshjen e CEFTA-s, por që u kthye prapa…Kurti ka mbërritur në pikën ku Kosova mund të mos jetë nga tetori pjesë e këtij mekanizmi e kjo do të ishte goditja më e madhe se mosanëtarësimi në Këshill të Evropës. Kjo ka qenë çështja më e rëndë që kjo Qeveri ia ka shkaktuar këtij vendi, s’ka ndërtuar ambient ku mekanizmi i botës na kish anëtarësuar. Edhe largimi nga Procesi i Berlinit, që unë e kam parë draftin, e fuqizon subjektivitetin e Kosovës, duke larguar UNMIK-un si përfaqësues i OKB-së në emër të Kosovës”, ka deklaruar Haziri.

Sipas nënkryetarit të partisë opozitare, kryeministri Albin Kurti i ka bërë “një hap para e dy prapa” në procesin e dialogut me Serbinë, duke shtuar se i ka shkelur premtimet e dhëna para se të vinte në pushtet.

“Ai ka thënë se nuk e pranon dialogun pa i pranuar Serbia krimet. I ka bluar të gjitha këto, e ka lëpirë atë pështymë që e ka shkaktuar për 16 vjet në skenën politike. Kurti shtyn probleme politike që nuk i zbardh deri në fund, e edhe çështje të tjera. Një kryeministër i hapur i zbardh edhe vendimet e vështira. Në politikë në shumicën e rasteve janë vendime të vështira, por Kurti po mban agjenda populiste”, ka shtuar ai.

Për çështjen e Urës së Ibrit, Haziri ka deklaruar se kryeministri Kurti duke tentuar ta hapë urën për lëvizje të veturave, po rrezikon ta mbyllë për qarkullim edhe për njerëzit.

“Qeveria e Kosovës në 2017-n ka hapur Urën e Ibrit, i ka hequr thasët me rërë, telat me gjemba dhe ka ndërtuar në politikë që ka pasur afate për hapje dhe qarkullim. Kurti po punon të hapë urën për vetura, e jo për njerëz, por ka marrë rrezikun mbi vete, që duke kërkuar të kalojnë veturat, ta mbyllë edhe për njerëz”, ka thënë ai.

Zyrtari i LDK-së ka shtuar se mandati i KFOR-it në Kosovë nuk është vetëm të mbrojë paqen, por “edhe të detyrojë me çdo mjet paqen në territorin e Kosovës dhe të ruajë Kosovën nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme”.

Për veriun, Haziri ka theksuar se prezenca e Njësisë Speciale nuk nënkupton sovranitet dhe deeskalim.

“Për katër notues që kërcejnë nga ura (në Ujman), është dashur 300 policë specialë të shkojnë në veri. Prezenca e Policisë në veri nuk është deeskalim. Ku ka nevojë shteti të ketë prezencë, dhe të njësive specializuara natyrisht se duhet të jenë”, ka theksuar ai.

Haziri ka shtuar se me Lumir Abdixhikun si kryeministër, Kosova do të kishte veprime që krijojnë ligjshmëri e legalitet “dhe do të arrijë të krijojë një ambient tjetër politik”.

“Plani i deeskalimit duhet të ndërtohet me një proces me BE-në…Kurti do ta ketë emblemën në ballë përgjithmonë që Kosovës ia ka sjell një dokument që jo ‘Zajednicë’, por ‘pokrainë’ do ta bëjë…Zoti Kurti ka bërë punë për njohje de facto dhe e ka shkelur me dy këmbë njohjen de jure”, ka thënë ai.

Për mundësinë e kthimit të Vjosa Osmanit në LDK pas përfundimit të mandatit të presidentes, Haziri ka thënë se “LDK-ja nuk ka ulëse rezervë”.

“Vjosa Osmani e ka lënë LDK-në, është bërë kryetare e Kuvendit me mandat të LDK-së, me votë të LDK-së është bërë presidente. LDK-ja s’ka ulëse rezervë për askënd…Më 19 nëntor e kemi zgjedhur Abdixhikun kryetar, s’mund t’i kemi dy kryetarë…LDK-ja kur e ka votuar, s’ka kërkuar asgjë pos të ushtrojë rolin kushtetues”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i LDK-së ka shtuar se në zgjedhjet e shkurtit po garojnë për të fituar.

“Jemi në këtë garë t’i fitojmë zgjedhjet. Do të takojmë secilin vend për të arritur këtë qëllim. Me program e politika të zbardhura, sidomos në këto vitet e fundit. LDK-ja është partia më e përgatitur”.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12