FutbollSport

Ipswichi, Lille dhe Freiburgu s’marrin masa ndaj “dardanëve” që u suspenduan nga Kosova

Trajneri i Ipswich Townit, ai i Lillet dhe i Freiburgut kanë mbajtur konferenca të ndara të enjten. Por, ndër të tjera, tre trajnerët kanë folur për temën e njëjtë. Largimin e lojtarëve të tyre nga grumbullimi i ekipit përfaqësues të Kosovës. 

Muriq është pjesë e Ipswichit anglez, Zhegrova i Lillet francez, kurse Muslija i Freiburgut gjerman. 

Të tre lojtarët u larguan nga grumbullimi i ekipit përfaqësues dy ditë pas humbjes turpëruese 3:0 nga Rumania, më 6 shtator në Prishtinë.

Vendimi, një ditë para ndeshjes së dytë të Ligës së Kombeve ndaj Qipros, ishte i përzgjedhësit Franco Foda dhe i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas njoftimit të FFK-së, vendimi u mor “për shkak të thyerjes së Rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata”.

Lojtarët kanë pranuar se janë larguar pa leje gjatë periudhës së grumbullimit me Përfaqësuese. Por kanë mohuar se kanë qenë në klube nate.

Te Ipswichi, Lille dhe Freiburgu i besojnë versionit të lojtarëve. Ata kanë thënë se nuk do të ketë kurrfarë masash ndaj lojtarëve. 

Trajneri i Ipswich Townit, Kieran McKenna, ka thënë se versioni që ka dëgjuar nga Aro nuk përkon me atë që është raportuar në Kosovë.

“Kam biseduar me Aron. Natyrisht, nuk është çështje e imja apo e Ipswichit për ta sqaruar situatën. Kam diskutuar me Aron dhe ai ma ka dhënë versionin e tij, që mendoj, siç ka thënë ai, është pak ndryshe nga versioni i spekulimeve për të cilat është folur. Nuk kam asnjë telash me versionin e tij. Ai është lojtar i yni dhe e përkrahim atë. Mirë që e kemi pasur në skuadër këtë javë për disa stërvitje shtesë dhe po punojmë për ta integruar atë në skuadër. Mendoj se do të jetë lojtar i rëndësishëm për ne”, ka thënë McKenna.

Portieri Aro Muriq ishte i suspenduar edhe në të kaluarën nga FFK-ja. Ka pasur raportime se kishte shkuar i dehur në stërvitje. 

Zhegrova, që po shkëlqen te Lille në Francë, edhe më herët ka pasur përplasje me drejtues të FFK-së dhe me përgjegjësit e Përfaqësueses. Ka dhënë edhe deklarata, prej të cilave është tërhequr më pas.

Ndërkohë për Florent Muslijën, që luan në Bundesligë, nuk ka pasur ndonjë njoftim për shkelje të deritashme.

“Kam folur me të, kemi diskutuar dhe kjo do të mbetet mes nesh. Nuk do të ketë sanksion, pasi nuk është në kuadër të klubit. E kam versionin e Edonit dhe i besoj atij. Nuk do të ndërmerret absolutisht asgjë nga ne”, ka thënë trajneri i Lillet, Bruno Genesio.

Trajneri i Freiburgut, Julian Schuster, ka qenë më i shkurtër në përgjigje. Megjithatë, pohon se largimi i Muslijës nga grumbullimi ishte temë në klub.

“Ai ka kërkuar falje publikisht dhe kjo mjafton për ne. Kjo ka qenë në mendjet tona në këtë javë”, ka pranuar Schuster.
Muslija ka pranuar gabimin e bërë gjatë grumbullimit.

“Kam bërë një gabim për të cilin, natyrisht, marr përgjegjësinë. Dy ditë para ndeshjes me Qipron, kam lënë hotelin e ekipit pa leje. Megjithatë, nuk kam dalë për të festuar deri vonë në klub – por për të shkuar për darkë. Thjesht, me dalë jashtë pak. Pa dyshim nuk ishte ideja më e mirë dhe më e zgjuar e jetës sime. Sepse sporti i skuadrës funksionon vetëm kur të gjithë ndjekin rregullat e përbashkëta. Nuk e kam bërë këtë dhe për këtë kam kërkuar falje, te trajneri dhe sigurisht edhe te bashkëlojtarët e mi. Diçka e tillë nuk duhej të ndodhte. Dhe diçka e tillë nuk do të ndodhë më”, shkroi ditë më parë lojtari ofansiv.

Nuk dihet nëse tre lojtarët do të ftohen për ndeshjet e muajit tetor. Nuk është treguar, po ashtu, nëse do të ketë masa të tjera për tre lojtarët.

Por kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ka theksuar se i respektojnë rregulloret në fuqi.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12