FutbollSport

Kosova e përjashtoi, por Muriq shkëlqen në Angli

Ipswich Towni mori pikë të vlefshme por shumë të mundimshme në udhëtim te Brightoni të shtunën, në ndeshjen e xhiros së katërt të Premier Leagues.

Ballafaqimi Brighton – Ipswich u mbyll pa gola, por vetëm falë intervenimeve të portierit të Kosovës, Arijanet Muriq, që janë vlerësuar shumë në Britaninë e Madhe. 

Për Ipswichin ishte pika e dytë e fituar në katër xhirot e para. Brightoni ka tetë pikë. 

“BBC” ka shkruar se portieri Muriq pati pritje fenomenale, sidomos pak pa u mbyllur pjesa e parë, kur reagoi mirë në dy raste brenda një aksioni. 

Lëvdata për shtatlartin e portës së Kosovës pas ndeshjes pati edhe trajneri Kieran McKenna. Në ndeshjen e fundit me Ipswichin në udhëtim te Manchester City, Aro Muriq bëri gabime që i kushtuan shumë skuadrës.

Telashet me të u shtuan kur ai u largua më herët nga grumbullimi me Kosovën, pas humbjes së thellë 3:0 nga Rumania në Prishtinë.

Muriq u largua nga grumbullimi për arsye disiplinore. Kështu është thënë në faqen zyrtare të FFK-së ditë më parë. Muriq ishte larguar bashkë me Edon Zhegrovën dhe Florent Muslijën.

“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arijanet Muriq, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija, janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata”, kishte shkruar FFK-ja më 8 shtator. 

Por vetëm një javë më vonë, Muriq shkëlqeu me gjashtë pritje dhe nuk lejoi të mposhtej nga sulmet e shpeshta të Brightonit. 

“Mendoj se ai tregoj saktësisht atë se pse ne donim që ta kishim në klubin tonë”, ka thënë McKenna në konferencën për shtyp pas ndeshjes. 

“Pasi u inkuadruam në këtë ligë ne duhej të gjenim një portier që mund të na fitojë pikë në ditë pikërisht si kjo. Është diçka shumë e madhe sepse çdo pikë e fituar në këtë ligë është shumë e mirëseardhur”, ka thënë fillimisht trajneri i Aros tek Ipswichi. 

Më pas ai vazhdoi lëvdatat për të. 

“Aro ka treguar përgjatë karrierës së tij se mund të jetë portier i cili mund t’ua fitojë ndeshjet dhe mund të fitojë pikë për ekipin.

Ai është portier fantastik dhe komandon në zonën e tij, ndryshe nga portierët e tjerë të kësaj kategorie të futbollit anglez”, është shprehur McKenna. 

25-vjeçari ka bërë goxha karrierë deri tani dhe ka ndërruar disa klube. U zhvillua si futbollist te të rinjtë e Zuerichut, ndërsa ishte edhe pjesë e Manchester Cityt. 

Karrierë ka bërë edhe te NAC Breda, Nottingham Foresti, Girona, Willem II, Adana Demirspori e Burnley. 

Me Burnleyn në edicionin e kaluar nuk arriti ta sigurojë mbijetesën në Premier League, por inkuadrimi i Ipswichit në elitë, ia dha rastin për t’u dëshmuar sërish në njërën prej ligave më të forta. 

“Është ditë e madhe për të dhe integrimin në skuadër. Ai ende është shumë i ri si portier. Ende është duke mësuar dhe duke u adaptuar në atë se çfarë ne dëshirojmë prej tij. Por mendoj se dita e sotme është hap i madh për të. Ai u tregoi të gjithëve pse e kemi sjellë në skuadër dhe çfarë është në gjendje të jap për skuadrën”, deklaroi McKenna.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12