Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu është paraqitur në konferencën për media në prag të sfidës kampionale ndaj FC Ballkani, e vlefshëm për xhiron e dytë në Albi Mall Superligë.
Tekniku i skuadrës ka folur për cilësitë që ka ekipi kundërshtar, mirëpo ka thënë që nuk duhet harruar edhe për vlerat që ka ekipi që ai drejton.
“Ndeshjet e tilla na bëjnë mirë të gjithëve, zhvillohemi edhe ne si trajner, por edhe futbollistët. Kemi analizuar kundërshtarin dhe e dijmë mjaft mirë për cilësitë që ka, por në asnjë moment nuk do të harrojmë për vlerat dhe cilësitë që kanë edhe futbollistët e mi. Ndeshjen e presim me shumë qetësi dhe do të punojmë shumë për ta marrë fitoren”.
Kjo ndeshje nuk është vendimtare, por është e rëndësishme, ashtu si çdo sfidë tjetër kampionale.
“Ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare. Po punojmë me grupin çdo ditë dhe po shoh që po rritemi si skuadër. Jam falenderues ndaj futbollistëve të cilët janë të përkushtuar në çdo seancë stërvitore dhe çdo gjë që unë ua kërkoj atyre. Ndodhemi përballë një kundërshtari tejet të fortë, por ne do të punojmë për ta gjetur rrugën drejt fitores”, shtoi Nuhiu.