Të parët për t’u krekosur me pseudo-nacionalizma mediash sociale e po të parët për të hedhur baltë në episode sporadike.
Janë këta shqiptarët, të përshkruar në një rresht.
Mjaftonte të zgjoheshe mëngjesin e 27 gushtit, për të përjetuar një lumë postimesh në çdo platformë të mundshme: Facebook, Instagram, Tik Tok, X, emërtojeni ju.
Hashtagu ishte i njëjtë, Rita Ora Serbian Flag.
E kishin bërë copë këngëtaren shqiptare, sepse ajo kishte marrë një flamur serb të hedhur nga dashamirësit e muzikës së saj, gjatë një koncerti që po mbante në Hungari, në Festivalin Rinor në Szeged.
E detyruan të dilte madje e të jepte shpjegime e të kërkonte falje (edhe pse dukej krejtësisht e trishtuar për çfarë kishte ndodhur).
“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, mu dha një flamur nga një fans i ri. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo hungarez”, shpjegoi ajo fillimisht.
Shtoi më tej: “Përderisa i mbështes të gjithë fansat e mi, nga të gjitha vendet dhe kulturat, dua të bëjë shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës, dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgimin time, ose të mërzisja popullin tim ose familjen time”.
E bëri këtë sqarim, sepse u “indinjuan”, e quajtën serbe, antishqiptare, antiatdhetare, çdo të zezë të mundshme, në një fraksion sekondi.
Dhe kë? Atë të cilën për Shqipërinë e Kosovën, ka bërë më shumë se gjithë qytetarët e dy vendeve të marra së bashku dhe çdo ditë e bën.
Atë të cilën, me pak syresh rreth vetes, emra të mëdhenj si Dua Lipa, apo Bebe Rexha, nuk lënë publikim pa e theksuar edhe simbolikisht duke puthitur duart në formë shqiponje dykrenare, se nga vijnë dhe çfarë përfaqësojnë.
Nuk ka pasur për shqiptarët në çdo truall ku ata jetojnë, Shqipëri, Kosovë, Ballkan, diasporë, lajm më të mirë se ardhja në skenë e zërave të kalibrit të tillë.
Ora nuk i ka bërë dëm kurrë Shqipërisë, veçse e ka lartësuar sa herë i është dhënë mundësia.
Nëse do të qe e nevojshme, ky është edhe një herë konfirmimi që Kosova është pre e një epidemie të nacionalizmit të verbër që nuk njeh mirënjohje, gati për të skeduar tradhtarin e radhës në emër të tij.
Një furi që prek edhe miqtë më të afërt, patriotët e vërtetë.
Dhuna e përhershme ku trajtimi bëhet patriot e tradhtar në bazë parimesh subjektive.
Harrojnë shqiptarët se duke vazhduar kështu, rrezikojnë të bëhen dëshmitarë të një izolimi progresiv të Kosovës nga jashtë, duke larguar simpatitë që kishin shoqëruar pavarësinë e saj.
Ky nacionalizëm i verbër është i njëjti që po shoqëron edhe veturën e Albin Kurtit, ku shumë prej atyre që sot ulërasin si patriotë kanë hipur.
Një makinë pa frena, e cila shkon përgjatë një shpate të pjerrët mali, në fund të së cilës ka vetëm një mur.
Kujdes ju, ju patriotë shqiptarë të internetit. Po vazhduat kështu rrezikoni të lëndoheni shumë. E asnjë zanatçi s’do të jetë më në gjendje të kthejë në jetë akrepat e orës.
Qartazi shqiptarëve me kohë u ka mbetur sahati. Aty ta gjejnë të keqen!