FutbollSport

As për “shëtitje” as me “flamur të bardhë”, Drita synon ta befasojë Legian

Te Drita e kanë parasysh forcën dhe përvojën e skuadrës së Polonisë, Legias, me të cilën do të përballen në plejofin e Ligës së Konferencës.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka paralajmëruar të mërkurën se skuadra e tij nuk ka udhëtuar në Varshavë me “flamurin e bardhë”.

Madje ka shtuar se Drita do të përpiqet ta eliminojë Legian nëse e ka edhe mundësinë më të vogël.

Mbi të gjitha, Ramadani pret që ekipi i tij të jetë maksimalisht i përgatitur për këtë ndeshje.

Dueli mes Legias dhe Dritës zhvillohet të enjten në Varshavë, kurse fituesi në plejof do ta sigurojë paraqitjen në grupet e Ligës së Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.

“Dihet që kjo ndeshje për ne është një sprovë e fortë. Përballë kemi Legian, një skuadër që në vendin tonë kur është përmendur futbolli polak, gjithmonë na ka shkuar mendja në dy gjëra, në Levandoëskin dhe në Legian. E dimë që është një ekip i madh, por ne nuk kemi ardhur vetëm për shëtitje”, ka thënë Ramadani në konferencë për media të mërkurën. 

Për Dritën kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në plejofin e Ligës së Konferencës.

Drita e nisi paraqitjen evropiane në sezonin aktual nga raundi i dytë kualifikues. Eliminoi fillimisht Breidablikun, kurse në raundin e tretë Audan.

“Ne këtu vijmë pas dy fitoreve në raundin e dytë dhe në raundin e tretë. Në katër ndeshje kemi arritur tre fitore dhe një humbje, kështu që besoj tek ekipi im. Por respekti ndaj ekipit kundërshtar është deri në momentin kur fillon ndeshja. Pastaj aty brenda kam kërkuar nga futbollistët që të japin maksimumin dhe ta ndiejnë e ta shijojnë këtë ndeshje. Normal që favorit absolut është Legia, mirëpo ne nuk kemi çfarë të humbim, vetëm mund të fitojmë shumë”, ka theksuar Ramadani. 

Ai ka folur edhe për përkrahjen që Legia do ta ketë nga tribunat. 

Tifozët e Legias janë prej më të njohurve në Poloni. Ata kanë qëndrim proserb, kurse në shumë raste kanë shpalosur pano me përmbajtje anti Kosovë. “Kosova është Serbi”, është shkruar shpesh në panot e klubit polak, me të cilin Drita takohet të enjten.

“Për atmosferën që krijojnë tifozët e Legias ne e dimë dhe e kemi parë. Por, kemi folur me futbollistët për ta përgatitur në aspektin psikologjik sa më mirë ndeshjen, dhe thjesht, që ata tifozë t’i kthejmë në motivim shtesë”, është shprehur tekniku shkupjan.

Edhe kapiteni i Dritës, Rron Broja, e vlerëson të vështirë përballjen kundër Legias. Por ai është optimist për rezultat pozitiv.

“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu në plejof të Ligës së Konferencës. Na pret një ndeshje mjaftë e vështirë, kundër një kundërshtari mjaft të vështirë. Mirëpo, ne besojmë shumë në vete dhe do mundohemi ta dëshmojmë që nuk jemi rastësisht këtu në plejof. Synimi ynë është ta japim maksimumin dhe gjithçka që kemi, që të arrijmë një rezultat pozitiv. Pastaj, në ndeshjen e dytë ta kërkojmë kualifikimin”, ka thënë Broja.

Drita paraqitet rregullisht në garat evropiane që prej edicionit 2018/19. Është përballur edhe me skuadra të mëdha si Viktoria Plzen, Antëerp, Feyenoord e Malmo.

Suksesin më të madh e kishte arritur në edicionin 2020/21, kur ishte paraqitur në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Ishte eliminuar nga Legia e Varshavës, skuadra me të cilën do të përballet të enjten dhe pas një jave. 

Në fakt, skuadra gjilanase në gjysmëfinale të raundit parakualifikues të Championsit kishte fituar 2:1 ndaj Inter d’Escalades të Andorrës. Në finale të raundit parakualifikues ishte dashur të takohej me Linfieldin e Irlandës së Veriut.

Por atë ndeshje gjilanasit e humbën me rezultat zyrtar, pasi disa lojtarë u infektuan me COVID-19 dhe autoritetet zvicerane patën kërkuar karantinimin e delegacionit të Dritës.

Pikërisht Linfieldi luajti me Legian në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndaj Linfieldit, Drita ishte favorite në letër, por rastet me COVID-19 ia pamundësuan përballjen.

Legia fitoi vetëm 1:0 ndaj Linfieldit, kurse në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve skuadra polake humbi pas vazhdimeve nga Omonia qipriote.

Drita vazhdoi garimin më pas në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, kurse Legia në raundin e tretë.

Pasi kaloi Sileksin, Drita u përball me klubin polak. Legia e fitoi ndeshjen 2:0.

Nga lojtarët aktualë të Dritës vetëm Faton Maloku dhe Almir Ajzeraj ishin pjesë e ekipit edhe në vitit 2020. Ndeshja kthyese luhet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12