Ndërkohë që shqiptarët në Luginë të Preshevës po përgatiten për organizimin e një proteste gjithëpopullore për shkak të diskriminimit nga ana e shtetit të Serbisë, autoritetet në Beograd kanë shtuar presionin ndaj këtij komuniteti.
Më 12 gusht të hënën me fillim në orën 11:00 do të organizohet një protestë në Bujanoc me moton “Për Identitet dhe Dinjitet”.
Në dritën e kësaj autoritetet serbe, siç ka njoftuar deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kanë filluar një valë të re presioni.
“Siç bëhet e ditur, një qytetarë është arrestuar për shkak të një komenti lidhur me protestën e paralajmëruar, në profilin e Facebookut të portalit lokal ‘Bujanovaçke’ për vepër penale ‘nxitje të urrejtjes ndërnacionale’”, njoftoi ai, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook.
Ky, sipas tij, nuk është rasti i vetëm i frikësimit të qytetarëve.
“Po ashtu mësohet se disa qytetarë shqiptarë janë marrë në të ashtuquajturat ‘biseda informative’ për ‘xhihadizëm’”, ka shtuar ai.
Këto raste, në vlerësimin e Kamberit, dëshmojnë se Serbia po tenton që me masa represive ta dezorientoj vëmendjen nga protesta e paralajmëruar.
“Pra, kjo është një përpjekje e hapur për të frenuar reagimin popullor dhe për të heshtur zërin e shqiptarëve. Për të shpërqendruar vëmendjen dhe për të demonizuar edhe protestën edhe kërkesat tona legjitime”, ka pohuar ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, javë më parë, nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në platformën sociale, Facebook, ndërsa paralajmëroi organizimin e një proteste gjithëpopullore potencoi se diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar “i ka prekur kufijtë e racizmit”.
“Nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare në vendin tonë pa u prekur nga procesi i pasivizimit të adresave”.
Përmes pasivizimit, sipas tij, Serbia po ua heq qytetarëve të drejtën e votës.
“Andaj u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që të korrigjojnë këto shkelje të rënda pa vonesa të mëtejshme”, apeloi ai.
Sa i përket punësimeve në institucionet shtetërore, sipas Lutfiut, po injorohen kuadrot shqiptare ndërsa po sjellën kuadro nga qytete të tjera të Serbisë.
“Në Preshevë mbi 95 për qind shqiptarë drejtori i shtëpisë së shëndetit në këtë qytet është serb, në konkurset e shpallura nga ky institucion injorohen mjekët shqiptarë ndërsa sillen kuadro nga qytete të tjera të Serbisë”.
Ky praktik i diskriminimit, siç potencon ai, është në secilin institucion shtetëror.
Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.