Kosovë

Si i gënjyen Kurti e Hyseni gjilanasit për stadiumin dhe autostradën

Tashmë janë bërë një vit prejse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, patën gënjyer publikisht se Autostrada e Gjilanit do të hapej gjatë vitit 2023.

Kurti, pasi kishte shkuar për t’i parë nga afër punimet, pati theksuar se pjesa më e madhe e punimeve është kryer, teksa ishte shprehur i bindur që ajo të lëshohej për qarkullim gjatë vitit të kaluar.

“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime. Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve”, kishte thënë Kurti.

Optimist se punimet do të finalizoheshin në vitin 2023 ishte kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ngjashëm si Kurti thoshte se pjesa ma e madhe e punimeve janë kryer.

“Përgatitjet dhe angazhimi i qeverisë është që ky projekt të përfundojë këtë vit, ndërkohë që nga punimet që po zhvillohen në terren, tregojnë që ky intensitet i punimeve do të jetë i pritur në fund me përfundimin total të autostradës deri në Bresalc”, pati deklaruar Hyseni.

Edhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ishte lavdëruar se punimet po zhvillohen me intensitet të lartë në tetë llotet dhe se po bëheshin përpjekjet maksimale që punimet të përfundojnë gjatë vitit të kaluar.

“Buxheti është ndarë për këtë dhe vizitat e shpeshta janë inkurajim për operatorët ekonomikë dhe për punëtorët që të punojnë me përkushtim, në mënyrë që kjo të përfundohet sa më shpejtë”, theksoi Durmishi.

Kontrata për autostradën Prishtinë- Gjilan ishte nënshkruar gjatë vitit 2018, kur ministër i Infrastrukturës ishte Pal Lekaj.

Ndërsa në buxhetin e Kosovës për vitin 2024 janë paraparë të shpenzohen 17 milionë euro për autostradën Prishtinë- Gjilan.

Po ashtu, në të njëjtin buxhet janë paraqitur edhe shpenzimet e planifikuara për tri vitet e ardhshme, bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

“Telenovela” me stadiumin

Tenderi për renovimin e Stadiumit të Gjilanit zyrtarisht është bërë subjekt i hetimit nga organet e ndjekjes.

Gardiani Pres mëson ekskluzivisht se ky tender po hetohet nën dyshimet për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Në një dokument të siguruar nga Gardiani, theksohet se hetimin është duke e kryer Njësia e Hetimeve Financiare nga Drejtoria për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të Policisë së Kosovës.

Në Kërkesën e Policisë për marrjen e informatave theksohet se e gjithë kjo procedurë po zbatohet me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në dokument, hetuesit policor kanë kërkuar të pajisen me të gjitha të dhënat e dosjes së kontratës së Fazës së parë të renovimit të Stadiumit të Qytetit.

“Ju njoftojmë se të dhënat na duhen urgjent, shpresojnë se kjo kërkesë e jona do të shqyrtohet në një afat sa më të shkurtër”, theksohet në kërkesën drejtuar Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit.

Gardiani ka raportuar në vazhdimësi për një sërë pretendimesh për parregullësi në këtë tender.

Fillimisht, Gardiani ka raportuar për problematika në fazën e përzgjedhjes së fituesit, e më pas edhe për faktin se fitues i tenderi doli një kompani që ofertoi me çmim për rreth dy milionë euro më të shtrenjtë.

Komuna e Gjilanit e kishte shpallur fitues konzorciumin “Demiri Cartenbau CmblI”, “Avag Group SH.P.K”, “Bl-Bau. SH.P.K., “Bujar Shabar”, “B.L: Kosova”, “Asfalt SH.P.K”, “K.N.T.SH. Teuta – M”, “SH. R.M. Lagerstrasse 1-1”, “6600 Lubendorf” që ofertuan me 14 milionë e 997 mijë euro.

Ofertuesi më i lirë në këtë tender kishte ofertuar me 1 milionë e 720 mijë euro më pak.

Anulimin e tenderit e kishte rekomanduar edhe eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ndryshe, renovimi i stadiumit në Gjilan filloi si projekt në vitin 2017 dhe pritej të përfundonte në fund të 2020-ës.

Neglizhenca, zvarritja e punimeve si dhe shumë çështje të tjera e kanë përcjellur realizimin sipas afateve të parapara të stadiumit.

Pasojat e rinovimit të stërzgjatur i kanë vuajtur më së shumti Drita e Gjilani që bëjnë gara në superligë.

Dy skuadrat, në mungesë të stadiumit, ndeshjet si vendës i kanë zhvilluar në fushën me bari sintetik në Gjilan.

Ndryshe, tri vite më parë, Alban Hyseni pati ka marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë.

Ky i fundit pas tetë vjetësh qeverisje në Gjilan ishte mposhtur nga Alban Hyseni.

What's your reaction?

Related Posts

1 of 12