Nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Bunjaku dhe drejtorët Enver Shabani e Bajram Isufi thonë se do vazhdojnë të shërbejnë në komunë edhe pse PDK-ja i ka përjashtuar nga partia, pasi këta të fundit dolën kundër PDK-se e cila e prishi koalicionin me LV-në.
Në një postim të gjatë në Facebook, ata thonë se mos-përkrahja e tri vendimeve që i cilëson antiligjore, ishte arsyeja kryesore e largimit të tyre nga PDK-ja.
“Arsyeja është për tre vendime të jashtëligjshme që nuk u votuan nga 4 asambleistë të PDK-së për shfuqizim, me ç’rast tre seanca radhazi u anuluan duke kërkuar nga pesë minuta pauzë për të mos u kthyer në vazhdimin e seancave dhe me ketë rast erdhi edhe deri te shkëputja e koalicionit nga ana e kryetarit të komunës z Alban Hyseni, i cili në ndërkohë kërkoi nga ne të tre që të vazhdojmë përshkak të punës, bashkëpunimit dhe profesionalizmit tonë”, thuhet në reagim.
“Me këtë rast dua të ju njoftojmë se në një shtet demokratik duhet të respektohet mendimi ndryshe e në veçanti kur bëhet fjalë për shkeljen e ligjit, sepse askush nuk është mbi ligjin e në veçanti nëse ne si ligjvënës e ligjbërës bëjmë shkeljen e tij atëherë çfarë të presim nga qytetarët dhe si të kërkojmë drejtësi, dinjitet e prosperitet”.
Krejt në fund, ajo ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për përkrahjen ndaj saj, teksa shtoi se “përjashtohemi sepse mbrojmë ligjin për atë që edhe na votuan qytetarët”.
Gjatë muajit qershor të këtij viti Lëvizja Vetëvendosje kishte njoftuar se e ka prishur koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës për qeverisje në Gjilan. /Gardiani Press/