Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, të martën ka komentuar intervistën e fundit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e transmetuar të dielën në Kallxo.com, ku u pa qartë një distancim i saj nga Qeveria aktuale e Kosovës për disa çështje.
“Duke kërkuar publikisht largimin e Martin Berishajt, ajo e në një formë e konfirmoi dhe ‘vizatoi’ korrupsionin e thellë qeveritar dhe lidhjet me GEN-in serb”, shkroi Haziri
“Duke nënvizuar avaritë serioze në politiken e jashme deri të oferta e pakuptimtë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëpërmjet një letre nga Qeveria, ajo e ‘vizatoi’ edhe kapitullimin e shtetit”, potencoi ai.
“Moskoordinimin me Presidencën s’ka kush e sanon. Asgjë e re sepse përdorimi politik është mendësi e Kurtit”.
Osmani, në një intervistë për “Kallxo” të dielën, ka folur për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për një skandal financiar në Slloveni, duke thënë se i njëjti duhet të largohet nga përfaqësimi i vendit derisa drejtësia të japë fjalën e fundit.
“Unë dëshiroj që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet, dhe më e mira në këtë rast do ishte që derisa të përfundojë procedura, ai të largohet nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja ta shkarkojë dikë krye më vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërkuar që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai të tërhiqet vet”, ka thënë Osmani.
Osmani ka njoftuar se nuk e ka ftuar e as takuar ambasadorin Berishaj gjatë vizitës së fundit në Sinj të Kroacisë: “Nuk e kam takuar sepse kështu kam vendosur… dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës”.
Ndërkoh duke folur për dështimin e institucioneve në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE), Osmani tha se Qeveria e Kosovës ka prishur “dasmën” në prag të kurorëzimit të kësaj ngjarjeje madhore për vendin, derisa ka përmendur veçanërisht letrën e shefes së diplomacisë kosovare.
Osmani, në pyetjen se kush ka prishur punë – kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, apo shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla Schwarz – është përgjigjur shkurt duke thënë “Qeveria e Republikës së Kosovës” derisa ka fajësuar Kurtin e Gërvallën për moskoordinim rreth procesit të anëtarësimit në KiE.
“Dihet kush e ka ofruar asociacionin 5 minuta në 12… letra është dërguar në emër të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë shefja e shtetit, duke refuzuar të përmendë emra të përveçëm. “Nuk ka qenë metodë e mirë. Nuk ka qenë rrugë e mirë mënyra e propozimit të asociacionit në momentin e fundit”.
“Unë kam qenë në Kosovë kur ka ndodhur kjo punë. Askush nuk ka provuar të më thërrasë, as të më njoftojë. Pastaj janë mburrë me këtë qasje që s’e kanë konsultuar presidenten e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera ajo.